Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti i përgjithshëm ka ngritur aktakuzë ndaj mësuesit i cili rrahu nxënësen 13-vjeçe në një shkollë në Viti.
Sipas komunikatës për medie nga Prokuroria thuhet se mësuesi H.R më 1 nëntor të këtij viti, në një shkollë fillore në Viti kishte keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë dinjitetin e nxënëses.
Ai fillimisht ia kishte ngritur zërin, e më pas edhe e kanë sulmuar e goditur me shuplaka.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit H.R., për shkak të veprës penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri H.R, më 01 Nëntor 2021, në një shkollë fillore në komunën e Vitisë, ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, ashtu që derisa ishte duke ushtruar detyrën e mësimdhënësit ka keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarës, nxënëses të moshës 13 vjeçe, në atë mënyrë që fillimisht i bërtet me ton të lartë, ia përplas çantën për banke, pastaj e sulmon duke e goditur me shuplaka në fytyrë dhe kur e dëmtuara dëshiron të largohet nga klasa, i njëjti e ndalon duke e shtyrë me duar dhe e përplasë në karrige”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Me këto veprime, i pandehuri H.R., ka kryer veprën e sipërshënuar penale.