Në xhaminë “Bedri Kamberi” në Prishtinë është ngritur flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikë, për nder të 247-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi tha se këtë synojnë ta shndërrojnë në traditë.
Ai theksoi se ShBA meriton mirënjohje dhe respekt për të gjithë mbështetjen që kanë bërë për popullin shqiptar.
“Ne simbolikisht në shenjë respekti, mirënjohje e falënderimi për çdo gjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë bërë për ne e po vazhdojnë të bëjnë edhe sot, vendosëm flamurin e Amerikës në xhaminë tonë i cili do të qëndrojë 24 orë. Përjetësisht mirënjohës e falënderues për rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-ve në arritjet tona formuese. Shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohet sot popullit të shteteve të bashkuara të Amerikës të cilët kujtojnë këtë datë historike të rëndësishme. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti e bekoftë Kosovën dhe shtetin shqiptar”, tha Maliqi.
Ai tregoi se një prakitkë të tillë synojnë ta bëjnë praktikë të përvitshme.
“Çdo 4 korrik do ta vendosim flamurin e këtij vendi mik, partner dhe aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën”, u shpreh Maliqi.
Kjo është hera e parë që në një xhami në Kosovë është ngritur flamuri i Amerikës.