UBT News

​Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt, prokurorja e rastit: Çifti kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e Liridona Ademajt.

Përfundimi i hetimeve dhe ngritja e aktakuzës vjen një vit pas vrasjes së 30-vjeçares.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të mërkurën por nuk u dhanë shumë detaje rreth aktakuzës.

Aty u tha se kanë siguruar dëshmi dhe prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, duke përfshirë edhe ato nga organet kompetente të Suedisë.

Liridona Ademaj u vra në nëntor të vitit 2023 dhe një prej të akuzuarve për vrasjen është edhe bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se nuk mund të jepen detaje rreth aktakuzës, porse potencoi se sipas dëshmive, e ndjera Liridona Ademaj dhe ish-bashkëshorti i saj Naim Murseli gjatë kohës sa kanë qëndruar në Suedi kanë pasur ‘marrëdhënie të çrregulluara martesore’ dhe familjare dhe kanë ardhur deri të problemet pasurore’.

Ajo tha se Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë të përfshirë në mënyrë direkte në vrasjen e Liridona Ademajt duke shtuar se është edhe i pandehuri i katërt.

Për këtë të fundit Perlinçeviq tha se nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt dhe se nuk mund të tregojnë detaje rreth identitetit dhe implikimit të tij.

“Nuk mund t’i tregojmë të gjitha motivet sepse aktakuza në momentin që kemi hyrë në sallë është dërguar në gjykatë. Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim sepse nuk jemi kompetent. Por, mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi Liridona dhe Naimi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare. Gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore. Për arsyet e tjera të cilat i ka pasur Naimi që të planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje mund ta kuptoni në gjykatë kur fillon seanca kryesore…Keni dëgjuar emrin e njërit të pandehurit i cili të gjitha i ka planifikuar e ai është Naim Murseli. Për informatat e marra nga Suedia keni dëgjuar edhe emrin e Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë kryerësit e drejtpërdrejt. Ekziston edhe një i pandehur në këtë lëndë, i cili nuk është i përfshirë në mënyrë direkte me kryerësit dhe ai rastësisht është gjetur aty. Edhe ai është i përfshirë në këtë aktakuzë. Sa i përket të pandehurit të katërt mendoj se nuk është etike që të tregohet emri i tij sot”, tha Perlinçeviq.

Perlinçeviq tha se gjatë ngritjes së aktakuzës nuk ka një provë kryesore, por prova të mjaftueshme materiale.

“Gjatë ngritjes së aktakuzës nuk kemi një provë kryesore, por kemi prova materiale me vlerësimin e të cilave vijmë deri tek dyshimi i bazuar se a është kryer vepra penale nga ndonjë person apo jo, e këtu kemi mjaftë prova materiale”, tregoi Perlinçeviq.

Ndërkaq i pyetur nga gazetarët, Perlinçeviq mohoi se Granit Plava ka qenë i përfshirë edhe në ndonjë vepër tjetër penale të vrasjes.

Përveç këtyre, Perlinçeviq tha se nuk ka pasur marrëveshje për pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

“Marrëveshje për pranimin e fajësisë në këtë lëndë nuk kemi. Nuk do të thotë që nuk ka pasur edhe kërkesa. Megjithatë, në këtë rast kaq të rëndë mendoj se nuk duhet të përfundoj lënda me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, por dëshirojmë që të gjitha faktet dhe rrethanat të nxjerrën para gjykatës dhe publikisht”, tha Perlinçeviq.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se pas ngritjes së aktakuzës presin nga gjykata një dënim kapital.

Ai konsideroi se kanë arritur të grumbullojnë të gjitha provat dhe se tashmë presin epilogun e rastit në gjykatë.

“Ky rast ka qenë shumë i ndjeshëm prandaj edhe ka qenë një kufizim i tillë. Siç e dini ky rast fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve, prokurores dhe me bashkëpunim të gjithëve, brenda një afati të shkurtër kohor kemi arritur t’i zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar edhe ekspertiza edhe nga jashtë edhe nga brenda vendit tonë…Presim nga gjykata një dënim kapital sa i përket kryerësve të kësaj vepre penale të cilët ne mendojë dhe konsiderojmë që kemi arritur në mënyrë profesionale të grumbullojmë të gjitha provat dhe të presim epilogun në gjykatë”, tha Gashi.

Rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt ka folur edhe hetuesi i hetuesisë rajonale të Prishtinës, Nazim Dalipi.

“Fillimisht kemi parë se diçka siç është prezantuar si grabitje ka pasur dyshime dhe ne si hetues i jemi përgjigjur rastit dhe kemi filluar mbledhjen e dëshmive. Ka rezultuar dy tri ditë më vonë që ka qenë i implikuar edhe Naimi dhe dy të tjerë. Janë mbledhur provat, dëshmitë, në lokacione të ndryshme, edhe në Prishtinë edhe në Gjakovë dhe ka rezultuar si e dyshimtë. Në koordinim me prokurorinë të gjitha dëshmitë dhe provat janë mbledhur në afate të caktuara dhe besoj që tash e tutje vendos gjykata”, tregoi Dalipi.

Në konferencë u tha se arsyeja e vonesës për ngritjen e aktakuzës është sigurimi i dëshmive nga organet kompetente të Suedisë.

Para gazetarëve ka dalë edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj i cili tha se ende nuk e kanë lexuar aktakuzën, por shtoi se “po shpresojmë që drejtësia sa më shpejtë të bie në vendin e vet”, tha ai.

Exit mobile version