Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ngriti aktakuzë për lëshimet që çuan në shembjen e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Në këtë incident, që ndodhi më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 perosna.
Aktakuza u ngrit kundër menaxheres së zhvillimit të investimeve në kompaninë “Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë”, Sllobodanka K., kryetarit të Komisionit për Inspektimin Teknik të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, Millutin S., dhe anëtares së këtij komisioni, Bilana K.
“Aktakuza u ngrit në lidhje me kryerjen e veprave penale me elemente korruptive, të cilat kanë rezultuar me shembjen e strehës”, tha kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviq.
Ai tha se ka dyshime të arsyeshme se lëshimet e tyre, lidhen me shkakun e tragjedisë.
Prej se ka ndodhur ky incident, studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada masive në disa qytete të vendit, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për rastin.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqje, ashtu si edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre vazhdojnë.