UBT News

Ngrihet aktakuzë ndaj personit që futi në qarkullim para të false

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se i njëjti, duke e ditur se paraja ishte e falsifikuar, me qëllim që ta vë në qarkullim ka paguar me të.

“Sipas aktakuzës, me datë 23.09.2021, rreth orës 12:55 në rrugën ‘Enver Hadri’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtën me qëllim që më pas ta vë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që hyn në një lokal pronar i të cilit është H.M., nga Prizreni, merr një pako të cigareve ‘Marlboro’ dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, me datë 18.09.2021, rreth orës 08:20 në Prizren, i pandehuri A.K., hyn në një market – pronar i të cilit është N.M., nga Prizreni, merr dy pako të cigareve dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete.

Në të dyja rastet, është vërtetuar se kartëmonedhat janë falsifikim i plotë, përmes raportit të ekspertimit të datës 17.11.2021 nga Agjensioni i Kosovës për Forenzikë.

Me këto veprime, i pandehuri A.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së.

Exit mobile version