UBT News

Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi për dhunim seksual gjatë luftës në Ferizaj

Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.J., për gjykim në mungesë, lidhur me një rast të dhunimit seksual ndaj një femre të mitur shqiptare gjatë luftës në territorin e komunës së Ferizajt.

Sipas prokurorisë i pandehuri M.J. ka kryer vepër penale ‘’Krimet e luftës kundër popullsisë civile’’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri me iniciale M.J. si pjesëtarë i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptarë, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur”, thuhet në komunikatë.

Kështu sipas prokurorisë, viktima ka pësuar lëndime të rënda fizike dhe trauma të përhershme psikike.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ta gjetur të pandehurin”, thuhet në njoftim. 

Exit mobile version