UBT News

Ngrihet aktakuzë ndaj 5 personave për falsifikim të parasë në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikimi i parasë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë periudhës së muajit tetor e deri në fillim të muajit nëntor 2021, në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P., 1.250 euro, të gjitha në monedha metalike nga dy euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta.

I pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 euro duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300 euro fals paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro fal paguan 300 euro origjinale derisa në herën e tretë për 550 euro fals paguan 400 euro origjinal, ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shesë 1.250 euro fals për 900 euro.

Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës kohore muaji tetor deri në fillim të muajit nëntor 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar – blerë nga i pandehuri B.B., ia dorëzon kolegëve të tij – të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VW Polo’’, e parkuar ne bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë më pas iu dorëzon kolegëve të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., të gjitha në monedha metalike nga dy euro, të cilat të njëjtit i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 euro origjinale në pjesë të barabarta.

Pas zbatimit të urdhër-kontrollit të Gjykatës nga ana e policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga dy euro në veturën ‘’VW Polo’’ në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga dy euro nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve V.Z., L.E., dhe A.P., ku në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro fals.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.   

Exit mobile version