Marrëveshja pa nënshkrim mes Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet se nuk duhet të shkojë në Kuvend për ratifikim.
Refuzimi i palës serbe për të nënshkruar fillimisht marrëveshjen bazë me 27 shkurt në Bruksel, pastaj edhe aneksin e zbatimit më 18 mars në Ohër, po shihen si sinjale për paqëndrueshmërinë juridike të ujdisë, megjithëse partnerët ndërkombëtarë thonë se e njëjta është ligjërisht e obligueshme. Njohësit thonë se nuk është e drejtë që Serbia po ia hedh kaq lehtë me faktin që nuk e nënshkruan. Në anën tjetër, kjo marrëveshje po vlerësohet si kundër kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, tha se kryeministri Albin Kurti dështoi të sjellë njohjen reciproke me Serbinë, përmes politikës siç e quajti ai, “të the qafën me partnerët ndërkombëtarë”.
“Kurti ka dështuar që të sjellë njohjen reciproke. Prandaj kjo marrëveshje, që nuk po e themi vetëm ne, por po e thonë edhe ekspertët kushtetues që madje është edhe kundër kushtetuese. Natyrisht është rezultat i dialogut të Kurtit dhe politikës ‘të the qafës’ me partnerët ndërkombëtarë”, deklaron ai.
Ndërkaq, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPress se marrëveshja si e tillë pa nënshkrim mes Kosovës dhe Serbisë është e vështirë të dërgohet në Kuvend për të marrë aminin e deputetëve.
Sipas tij, duhet të shikohen të gjitha hollësitë juridike të Kushtetutës dhe Konventës së Vjenës nëse marrëveshja në këtë formë mund të dërgohet në Parlament apo jo.
“Në gjykimin tonë, siç është marrëveshja tash, kur nuk ka as iniciale dhe as nënshkrime është e vështirë të dërgohet si e tillë në Kuvend, por duhet të shikohen hollësitë juridike të Kushtetutës dhe Konventës së Vjenës nëse një marrëveshje e tillë pa asnjë iniciale dhe asnjë nënshkrim duhet të dërgohet në Kuvend apo jo. Në këtë pikë ka pikëpyetje ende”, thekson Fetahu.
Ai kërkon nga institucionet e Kosovës që t’i bëjnë presion Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që t’i kërkojnë Serbisë ta nënshkruajë marrëveshjen dhe zbatojë atë.
“Të kenë një strategji koordinimi dhe planifikimi dhe një lloj trysnie të butë edhe me BE-në dhe vendet e tjera që kanë qenë sponsorizuese të kësaj marrëveshjeje që të hedhin një presion tek pala serbe për të nënshkruar apo të paktën për t’u zotuar 100 për qind në implementimin e saj në praktik. Historia ka dëshmuar të kundërtën. Po ashtu nuk është e drejtë që pas gjithë asaj fushate ku thuhet se do të ketë ndëshkime për palët që nuk e nënshkruajnë kjo pajtueshmëri vetëm në mënyrë xhentëlmenë verbale të kalojë aq lehtë për Serbinë, e cila po e refuzon marrëveshjen. Mbi të gjitha BE-ja në veçanti, por edhe ShBA, të gjejnë modalitete për ta bërë këtë marrëveshje të obligueshme. Në këtë fazë të cilën është pa nënshkrime dhe kur Serbia nuk e dërgon ende në Kuvend, kjo marrëveshje është ende në ajër dhe mund të kemi shumë interpretime dhe debate që vazhdojnë në pafundësi dhe efekti i saj mund të jetë zero”, shton Fetahu.
KosovaPress pyeti të martën edhe kryeministrin Kurti në lidhje me mundësitë që marrëveshjen pa nënshkrim me Serbinë të dërgojë në Kuvend, mirëpo nuk dha një përgjigje konkrete, por shtoi se kjo do të diskutohet me deputetët në seancën e së enjtes.
“Besoj se edhe në Kuvend kjo duhet të diskutohet, mirëpo duhet të keni parasysh se ne kot nënshkruajmë se ne marrëveshje vetë me veti s’mundemi të bëjmë, marrëveshja duhet të bëhet me palën tjetër. Nëse e keni parasysh në krye të tekstit të marrëveshjes bazë që i tha po edhe pala tjetër, ndonëse nuk e nënshkruaji është palët kontraktuese. Unë nuk mund të bëjë nënshkrim me vetveten. Ne mund të bëmë edhe ratifikim në Kuvendin e Republikës, por unë besoj se tani topi nuk duhet të jetë te Kosova, kërkojë kontributin e të gjithë, pasi topi është në anën e Serbisë pse nuk po nënshkruan ajo”, tha Kurti të martën.
Megjithëse nuk pati nënshkrim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ndërmjetësuesi i dialogut, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell ka thënë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme dhe ka hyrë në fuqi në momentin e dhënies së deklaratës së tij. Të njëjtën e ka potencuar edhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.