UBT News

Ngjarjet sot në Kosovë

Dita e sotme në Kosovë do të karakterizohet nga disa aktivitete të rëndësishme në fusha të ndryshme, përfshirë shëndetësinë, drejtësinë, punësimin dhe përkujtime kombëtare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, pritet të marrin pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e aneksit të Depos së barnave të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe fillimin e renovimeve në këtë objekt. Aktiviteti mbahet në rrugën “Aziz Abrashi”, zona industriale në Prishtinë, nga ora 10:00.

Po në orën 10:00, para administratës së QKUK-së në Prishtinë, Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës do të mbajë takim me punëtorët e sigurimit fizik, ku do të vendosen hapat e mëtutjeshëm për të drejtat dhe përfaqësimin e tyre.

Në fushën e drejtësisë, po ashtu në ora 10:00 në hotelin “Mercure” në Prishtinë, do të lansohet Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Përmbarimit, një hap drejt dixhitalizimit dhe rritjes së efikasitetit në këtë proces.

Ndërkohë, nga ora 11:00 në hotelin “Sirius”, Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) do të mbajë një konferencë me temën “Punësimi dhe përfshirja institucionale e komuniteteve joshumicë në Kosovë”.

Në Ferizaj, do të zhvillohen ceremonitë mortore për veprimtarin e çështjes kombëtare, Ekrem Jashari. Homazhet pranë arkivolit do të fillojnë në orën 13:00 në Galerinë e Arteve, pasuar nga mbledhja komemorative në Teatrin “Adriana” në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në Varrezat e Veteranëve të qytetit në orën 17:00.

Exit mobile version