UBT News

Ngjarje e papritur në Singapor, fansi sulmon Arianën Grande në premierë

Ariana Grande u sulmua papritur nga një fans gjatë shfaqjes gala të filmit të saj të ri Wicked: For Good, në premierën e mbajtur të enjten në Singapor.

Ajo po ecte në tapetin e gjelbër me Cynthia Erivo, kur një burrë u afrua nga pas dhe e kapi me krah, duke tentuar t’i afrohej në mënyrë agresive.  Cynthia, e cila portretizon Elphabën në film, reagoi duke u vendosur fizikisht para Ariana-s dhe bërë thirrje agresorit të ndalonte.

Në pamjet që qarkulluan në internet, shihet momenti kur burri i afrohet Ariana-s dhe e kap, ndërsa ajo përpiqet të largohet.

Rojet e sigurisë ndërhynë menjëherë, e ndanë burrin nga këngëtarja dhe e larguan atë nga hapësira e eventit. Ariana u duk e tronditur pas episodit dhe Cynthia u pa duke e qetësuar.

Agresori është identifikuar si Johnson Wen, një personazh i njohur për ndërhyrjet e mëparshme në tapetet e kuq.

Ai ka sulmuar më parë edhe artistë të tjerë si Katy Perry, The Weeknd dhe The Chainsmokers. Wen, i njohur në internet si “Pyjama Man”, madje publikoi një video ku falënderonte Ariana-n për “mundësinë” për t’u afruar me të, duke e quajtur incidentin “ëndrrën e tij”.

Fansat e Ariana-s reaguan me indinjatë në rrjete sociale, duke e cilësuar sjelljen e Wen të papranueshme. Ata theksuan se, duke marrë parasysh përvojat traumatike që Ariana ka kaluar në të kaluarën, një incident i tillë ishte i rëndë dhe i dhimbshëm për të dhe për publikun.

Singapori ishte ndalesa e vetme në Azi gjatë turit ndërkombëtar promovues të filmit, i cili do të mbyllet në New York më 17 nëntor. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version