Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se doza e tretë e vaksinës do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm.
“Profesionistët nga IKSHPK-ja na kanë bërë me dije qartë në MSH se sipas gjitha gjasave do të kemi nevojë për dozën e tretë të vaksinave, marrë parasysh përvojën e vendeve tjera që përkundër vaksinimit me dy doza të qytetarëve ka pasur shpërthim të rasteve me variantin Delta. Kemi filluar negocimin për sigurimin e dozës së tretë dhe do të jetë në dizpocion të qytetarëve të Kosovës vitin e ardhshëm”, ka thënë Vitia.
Vitia edhe në konferencë për media më herët gjatë ditës kishte thënë se është duke punuar MSH-ja për të siguruar kontratë për furnizim me doza të vaksinës, për të aplikuar dozën e tretë.
Ndërkohë sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve, Vitia ka thënë se nuk është vendim që e merr ai.
“Nuk është një vendim që e marr unë. Është vendim që merret në bazë situatës në terren, e rekomandimeve nga IKSHPK-ja e nga ekspertët. Secili aktivitet që do të rrezikon shëndetin publik, do ta analizojmë për të parë si t’i qasemi. Kur merret vendimi do të njoftohen qytetarët, nuk do të jetë i fshehtë”, ka thënë Vitia.
Vitia, sa i përket furnizimit me ilaçin remdesivir që nevojitet për pacientët me Covid-19, ka thënë se janë në përfundim të procedurave dhe se ilaçi do të jetë në klinika më së largu deri fillim të javës së ardhshme.
“Procedurat për remdesivir siç kam thënë, janë para përfundimit. Shpresoj deri në fund të javës të sigurohen. Nëse jo në fund të javës, atëherë në fillim të javës tjetër remdesiviri do të jetë në klinika tona”, ka thënë Vitia.
Ai ka folur edhe për vendimin e MSH-së që punonjësit e administratës publike duhet të posedojnë kartelë vaksinimi, test PCR apo test serologjik për t’u paraqitur në vende të punës.
Ndërsa, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani i pyetur për raportimin e viktimave të Covid-19, ka thënë se nga fillimi i pandemisë kanë raportuar për 24 orë dhe raportimi bëhet për periudhën prej orës 00:00 deri më 11:59.
“Duhet ta dini se prej fillimit të pandemisë ne kemi raportuar komunikatën për 24 orë, 24 orëshi nënkupton prej orës 00:00 deri në orën 11:59 të ditës. Nëse një rast nuk është raportuar atë ditë, dijeni se është raportuar të nesërmen”, ka shtuar ai.