UBT News

Nga thirrjet te mesazhet, Rusia mund ta mbyllë plotësisht WhatsApp-in

Rusia njoftoi se po shqyrton mundësinë e ndalimit të WhatsApp-it, duke e akuzuar shërbimin e mesazheve se nuk ka arritur të parandalojë aktivitetet kriminale.

Paralajmërimi vjen në një periudhë kur Moska po intensifikon përpjekjet për të shtyrë qytetarët drejt platformave të kontrolluara nga shteti.

Autoritetet ruse i hoqën përdoruesve mundësinë për të kryer thirrje në WhatsApp që në gusht, si pjesë e një fushate më të gjerë kundër rrjeteve sociale perëndimore. Sipas kritikëve, këto masa synojnë t’i detyrojnë rusët të kalojnë në shërbimet vendore.

Roskomnadzor, rregullatori shtetëror i komunikimeve, deklaroi se WhatsApp po përdoret për “organizimin dhe kryerjen e akteve terroriste, për rekrutimin e autorëve, si dhe për mashtrime dhe krime të tjera ndaj qytetarëve”.

Institucioni paralajmëroi se platforma  bllokohet nëse nuk përmbahet ligjeve ruse. Meta, kompania amerikane që zotëron WhatsApp-in, nuk ka dhënë ende një reagim, raporton REL.

WhatsApp është ndër aplikacionet më të popullarizuara për dërgimin e mesazheve në Rusi, përkrah Telegramit.

Moska u kërkon këtyre platformave të ofrojnë qasje në të dhënat e përdoruesve kur kërkohet nga organet e rendit, veçanërisht për hetime të lidhura me mashtrimet apo aktivitetet që autoritetet i cilësojnë si “terroriste”.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut shprehin shqetësim se masat forcojnë mekanizmin e mbikëqyrjes shtetërore dhe të përdoren për të ndjekur kritikët e Kremlinit, presidentit Vladimir Putin dhe luftës në Ukrainë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version