Duke filluar nga sot, datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj.
Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.
Ndryshe, marrëveshja e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët është nënshkruar më 28 qershor.