UBT News

Nga skandal në ikonë: Si u bë “My Bed” i Tracey Emin simbol i artit modern

Në vitin 1999, një krevat i çrregullt me çarçafë të njollosur, prezervativë, kanaçe birre dhe sende personale shkaktoi një nga debatet më të mëdha në botën e artit britanik. Vepra My Bed e artistes britanike Tracey Emin tronditi publikun kur u nominua për çmimin prestigjioz Turner Prize dhe u ekspozua në Tate Britain.

Instalacioni rikrijonte periudhën e errët emocionale të artistes pas një ndarjeje, duke ekspozuar pa filtra fragmente intime të jetës së saj. Në atë kohë, reagimet ishin të ashpra: disa e quajtën provokim të tepruar, të tjerë e panë si një akt të guximshëm që sfidonte normat mbi artin dhe moralin.

Sot, më shumë se dy dekada më vonë, “My Bed” konsiderohet një nga veprat më ikonike të artit bashkëkohor britanik. Ajo është pjesë e ekspozitës retrospektive A Second Life në Tate Modern, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin e gjatë të Emin – nga artistja rebele e viteve ’90 në një figurë të nderuar të artit britanik.

Vepra, që dikur shkaktoi zemërim dhe polemika, sot shihet me më shumë ndjeshmëri. Kritikët theksojnë se tronditja e dikurshme është zbehur, por forca emocionale dhe sinqeriteti mbeten po aq të fuqishme. Madje, instalacioni u shit në ankand për miliona paund dhe studiohet në shkollat britanike si shembull i artit autobiografik.

Vetë Emin ka deklaruar se sot publiku nuk reagon më me tronditje, por me empati. “Krevati ka jetën e vet tashmë,” është shprehur ajo, duke nënvizuar se vepra ka kaluar përtej autores dhe është shndërruar në simbol të një epoke.

Nga skandal në ikonë – historia e “My Bed” dëshmon se arti që dikur provokon, me kohën mund të fitojë status legjendar.

Exit mobile version