Kryetarja e Sindikatës së Policisë, Valbona Kamberi ka paralajmëruar protesta, për shkak se ndihen të diskriminuar pas vendimit të fundit të Qeverisë Hoti për ekzekutimin e shtesave në arsim.
“E kam parë vendimin për punëtorët e arsimit që t’u paguhen shtesat me dy këste. Për ne si Sindikatë e Policisë ka qenë shumë irrituese, diskriminuese sepse nuk është marrë një vendim i dinjitetshëm në aspektin kur Policia e Kosovës është institucioni i vetëm i sigurisë, i cili është ballë për ballë në luftimin e pandemisë. Dhe të anashkalohet pjesa e Policisë dhe të merret një vendim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’u ofrohet një shtesë arsimit për ne ka qenë e papranueshme. Në takimin e djeshëm që kemi pasur dje me kryesinë tonë do të vijmë deri te çështjet më radikale që ta quajë edhe paralajmërimin e protestave. Javën e ardhshme do ta kemi sërish këshillin drejtues në takim. Aty do të marrim vendime se si do të duken protestat dhe sigurisht që do ta caktojmë datën. Protestat janë të lejueshme ashtu siç e sheh edhe Ligji i Policisë që policia ka të drejtë për protestë dhe shprehje të pakënaqësisë në kuptimin e kushteve të punës apo ndonjë pakënaqësi tjetër”, deklaroi ajo në një intervistë për Ekonomia Online.
Kamberi po ashtu ka njoftuar për EO se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë për kërkesat e tyre.
“Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e Qeverisë, sipas takimeve të fundit që i kemi pasur në vitin e kaluar janë realizuar pjesërisht kërkesat tona, jo të gjitha ato çfarë kemi kërkuar. Qeveria vitin e kaluar është zotuar që do t’i paguaj edhe për vitin e ardhshëm shtesat emergjente prej 100 eurove për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Janë paguar vetëm ata që kanë qenë në terren dhe gjithashtu është zotuar se do të paguajë çështjen e ushqimit që nga janari i vitit 2021, gjë që nuk e ka përfillur edhe këtë zotim që e kanë dhënë ata vet”, ka shtuar Kamberi.
Kryetarja e Sindikatës ka treguar se pengesa shtesë është bërë vetëm për pjesëtarët e Policisë që kanë qenë në plan operativ në terren.
“Është e padrejtë sepse me kohë të tëra që nga viti i kaluar kemi bërë kërkesa të njëpasnjëshme për kompensimin për të gjithë pjesëtarët e policisë sa i përket shtesës emergjente të pakos emergjente. Por ka qenë i pamundur realizimi për të gjithë pjesëtarët dhe është kryer realizimi pjesërisht për disa pjesëtarë që kanë qenë në plan operativ. Është e papranueshme edhe për sindikatat tjera derisa p.sh arsimi nuk ka qenë në vijën e frontit për luftimin e pandemisë Covid-19, kurse policia ka qenë 24 orë ballë për ballë”, ka përfunduar Kamberi për EO.