Një ditë e zakonshme pune gjatë Javës së Modës në Londër ndryshoi papritur jetën e 24-vjeçarit Soufian Boucetta, i cili po punonte si roje sigurie në një sfilatë të stilistes Simone Rocha.
Boucetta, me origjinë nga Girona e Spanjës dhe që jeton në Londër, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve për pamjen e tij. Një prej tyre publikoi një video të tij në rrjetet sociale, duke shkruar me shaka se koleksioni ishte i bukur, por vëmendjen e kishte marrë roja i sigurisë. Videoja u bë shpejt virale dhe mori më shumë se 900 mijë shikime.
Boucetta ka treguar se gjatë kohës që ishte në punë kishte vënë re se njerëzit po e shikonin, por nuk e kishte imagjinuar se dikush do ta publikonte në Instagram. Kur përfundoi ndërrimin dhe u kthye në shtëpi, zbuloi se videoja ishte shpërndarë gjerësisht.
Pas suksesit të videos, ai mori oferta dhe interesim nga agjenci modelingu në Milano, Paris dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vendosi të qëndrojë në Britani dhe nënshkroi kontratë me agjencinë londineze PRM.
Para se të punonte në sektorin e sigurimit, Boucetta ishte marrë me ndërtimtari. Gjatë punës si roje sigurie kishte pasur mundësi të punonte edhe me figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë Rihanna-n, Dwayne “The Rock” Johnson, Jason Statham dhe Aaron Pierre.
Edhe pse vazhdon të punojë herë pas here në sektorin e sigurisë, 24-vjeçari tashmë ka nisur përgatitjet për karrierën e re. Ai po ushtron ecjen në pasarelë dhe ka realizuar setet e para profesionale fotografike, ndërsa synon që në të ardhmen t’i përkushtohet plotësisht modelingut.
Boucetta ka treguar se gjatë viteve shpesh kishte marrë komente nga njerëzit për gjatësinë dhe pamjen e tij, madje thotë se disa herë deri në 15 persona në ditë i kishin sugjeruar të merrej me modeling.
Ajo që nisi si një video e publikuar rastësisht gjatë një dite pune, tashmë i ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Boucetta thotë se është i emocionuar për botën e modelingut dhe për mundësitë që mund t’i sjellë kjo kthesë e papritur./A.K/
