Apple është pranë finalizimit të një marrëveshjeje shumëvjeçare me Google, që do ta shohë prodhuesin e iPhone t’i paguajë gjigantit të teknologjisë rreth 1 miliard dollarë në vit për përdorimin e një versioni të personalizuar të modelit Gemini AI për të fuqizuar Siri-n.
Ky hap shënon një ndryshim strategjik për Apple, e cila tradicionalisht është mbështetur në teknologjitë e zhvilluara brenda kompanisë.
Sipas raportimeve, përdorimi i modelit të Google shihet si zgjidhje e përkohshme, derisa Apple Intelligence të arrijë mjaftueshëm zhvillim për të përballuar kërkesat e ardhshme të sistemit të vet të inteligjencës artificiale.
Modeli i personalizuar i Gemini AI do të përfshijë 1.2 trilion parametra, një masë që tregon nivelin e kompleksitetit dhe aftësisë së softuerit — shumë më e lartë se ajo e modeleve aktuale të Apple.
Për krahasim, versioni aktual i Apple Intelligence i bazuar në cloud përdor 150 miliardë parametra, që do të thotë se modeli i Google do të ishte afërsisht tetë herë më kompleks.
Në fillim të këtij viti, Apple kishte shqyrtuar edhe mundësinë e përdorimit të modeleve të inteligjencës artificiale nga OpenAI dhe Anthropic. Pas testimeve me të tre kompanitë, Apple vendosi të vazhdojë me Google.
Sipas burimeve të Bloomberg, versioni i ri i Siri-t i bazuar në Gemini pritet të lansohet në pranverën e ardhshme.
Duke qenë se projekti është ende në zhvillim, planet mund të pësojnë ndryshime deri në momentin e prezantimit. /A.Z/UBT News/
