UBT News

Nga politikanët deri tek yjet televizive e sportive – Të famshmit që thyen rregullat antiCOVID

Nga ylli i realitetit televiziv Kim Kardashian tek familja mbretërore holandeze dhe tani së fundi ylli i tenisit Novak Djokovic, një mori politikanësh dhe të famshëm kanë qenë pre e kritikave për shkak të mospërfilljes së rregullave që parandalojnë përhapjen e Covid-19.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, theu rregullat e distancës sociale për të pozuar për një fotografi me dy gra në maj të vitit 2020.

Ai e konsideroi joserioze situatën, duke thënë me shaka, “Ejani para se të na arrestojnë”. Ndonëse ai nuk u arrestua, kjo video e tij u bë virale në rrjete sociale dhe shkaktoi zemërim tek popullsia.

Zëvendësministri i Shëndetësisë i Paraguajit, Juan Carlos Portillo dha dorëheqjen pasi u filmua në një festë në qershor të vitit 2020, pikërisht pasi kishte ndihmuar në vendosjen e kufizimeve të reja.

Këshilltari kryesor i kryeministrit britanik Boris Johnson, Dominic Cummings, shkaktoi bujë në Britani pasi shkeli rregullat e karantinës në maj të vitit 2020 për të udhëtuar përgjatë Anglisë në mënyrë që të kalojë kohë me prindërit e tij.

Ai më vonë tha se bëri një udhëtim tjetër për të “kontrolluar shikimin e tij” përpara se të detyrohej përfundimisht të tërhiqej. Cummings ishte i pari nga një varg i gjatë skandalesh të lidhura me Covid-in që tronditën qeverinë e Johnson.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, dha dorëheqjen për thyerjen e rregullave të Covid-it që kishte vendosur vetë pasi u kap në flagrancë nga paparacët me dashnoren e tij në qershor të vitit 2020.

Familjes mbretërore holandeze iu desh të kërkonte falje muajin e kaluar kur ftuan 21 persona për të festuar ditëlindjen e 18-të të mbretëreshës së ardhshme, Princeshës Amalia.

Kjo ishte një nga një varg kërkim faljesh të bëra, me mbretin Willem-Alexander i cili theu vazhdimisht rregullat e distancimit shoqëror duke shtrënguar duart dhe familja duke shkuar në pushime në Greqi gjatë një bllokimi të pjesshëm, transmeton UBT News.

Themeluesja e SKIMS, Kim Kardashian shkaktoi zemërim në tetor të vitit 2020 duke organizuar një festë në një ishull privat për të festuar ditëlindjen e saj të 40-të, me foto ku të ftuarit shiheshin pa maska.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki kërkoi falje në maj të vitit 2020 pasi pozoi për fotografi zyrtare me stafin në një restorant, kur këshilla e tij për të tjerët ishte të darkonin vetëm me familjen e ngushtë.

Komisioneri evropian i tregtisë, Phil Hogan, u detyrua të jepte dorëheqje në gusht të vitit 2020 së bashku me dy politikanë të lartë irlandezë pasi morën pjesë në një darkë me 80 persona, kur vetëm gjashtë persona lejoheshin të takoheshin në ambiente të mbyllura.

Kreu i bordit të turizmit të vendit, Catherine Martin, u detyrua gjithashtu të largohej pasi shkoi për pushime në Itali, kur njerëzve u thuhej të pushonin në shtëpi.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, u detyrua të pranonte se bëri një “gabim të keq” në nëntor të vitit 2020 duke marrë pjesë në darkën e ditëlindjes së një miku gjatë një rritje të rasteve.

Një përplasje e shumëpritur midis gjigantëve të futbollit të Amerikës së Jugut, Brazilit dhe Argjentinës, duhej të ndërpritej në shtator pas pesë minutash pasiqë zyrtarët pretendonin se katër lojtarë argjentinas me bazë në Angli u kishin dhënë atyre informacione të rreme për të shmangur rregullat e Covid.

Tenisti Novak Djokovic është personazhi më i fundit i famshëm që ka rënë në kundërshtim me rregullat e Covid, ndonëse ky i fundit fajësoi agjentin e tij për një deklaratë të pasaktë në lidhje me udhëtimin e tij para fluturimit për në Australi, ai është parë edhe më herët duke thyer rregullat antiCOVID./UBTNews/

Exit mobile version