UBT News

Nga një muaj paraburgim për pesë të dyshuarit për krime lufte në rastin “Reçaku II”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë të pandehurve të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është vendosur ndaj personave me inicialet N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Të dyshuarit po hetohen nën dyshimin se, në bashkëkryerje, kanë kryer krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur që secili prej të pandehurve të mbahet në paraburgim për një muaj.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik real për arratisje nëse të dyshuarit lihen në liri, duke theksuar se ata janë shtetas të Serbisë, çka sipas saj rrit mundësinë që të shmangin procedurat gjyqësore dhe të vështirësohet sigurimi i pranisë së tyre në proces.

/A.K/

Exit mobile version