Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, tetë të dyshuarve që u arrestuan në aksionin e së mërkurës në regjionin e Mitrovicës.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se tetë të dyshuarit janë: Berat Hasani, Ifran Paca, Orhan Bajrami, Arben Smajli, Tadija Radivojeviq, Alban Beqiri, Shqiptar Sadiku dhe Nuredin Rama.
“Masa e paraburgimit caktohet në kohëzgjatje prej një muaji, 2. Paraburgimi sipas këtij Aktvendimi të pandehurve: Berat Hasanit, Ifran Pacës, Orhan Bajramit, Arben Smajlit, Tadija Radijvojeviq, Alban Beqirit, Shqiptar Sadikut dhe Nuredin Ramës i llogaritet prej datës 19.03.2025 e deri me datën 18.04.2025”, thuhet në vendim.
Tetë të pandehurit dyshohen për “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, kurse Hasani, Paca dhe Bajrami dyshohen edhe për “Detyrim”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë.