Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga nesër qytetarët mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa caktuar termin paraprakisht. Po ashtu MSh-ja njofton se qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim.
“Ministria e Shëndetësisë vlerëson se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim.Gjithashtu, MSh rikujton se këtyre ditëve është duke u bërë vaksinimi edhe përmes ekipeve mobile, për çka gjithashtu nuk duhet caktuar termin paraprakisht.MSh u bën thirrje qytetarëve që ta kompletojnë procesin e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19”, njofton MSh-ja.
Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka miratuar edhe rekomandimin për vaksinimin e fëmijëve të grupmoshës nga 12 deri në 15 vjeç./UBTNews