Nga nesër nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndërurban në gjithë vendin për shkak të mos përmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj thekson për KosovaPress se nesër që në mëngjes do të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve për protestë, për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes për mbështetje apo subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus.
“Nesër që në mëngjes nuk do të ketë asnjë linjë, asnjë operator i cili do të mbajë funksionimin e linjave nga qytetet e ndryshme të vendit për Prishtinë. Këtu nuk bëhet fjalë për trafik urban, po flasim për transportin urban-periferik dhe transportin ndërurban”, tha Kurtishaj.
Kurtishaj po ashtu thotë se janë të vendosur për protestë dhe nuk heqin dorë deri në realizimin e marrëveshjes.
Qeveria në detyrë, sipas tij, ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i realizuar kërkesat e transportuesve publikë, dhe për këtë siç thekson ai deri tash kjo e fundit nuk ka reflektuar. Teksa shton se nuk ka asnjë dyshim që do të mbahet nesër protestë.
“Ne për këtë arsye i kemi dhënë kohën e mjaftueshme Qeverisë për të pasur një reagim pozitiv dhe ne presim që të reagojë qeveria, në të kundërtën nuk asnjë dyshim sa i përket mbajtjes së grevës përkatësisht të protestës. Ne i kemi marrë hapat me kohë, kemi njoftuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe departamentet përkatëse, të cilat janë të njoftuar se që nga data 17 mars 2021 nuk do të ketë transport që lidh qytetet në transportin ndër urban. Sigurisht që kjo nuk është diçka e mirë as për ne e as për qytetarët. Ne iu kërkojmë falje qytetarëve, ndiejmë keq ardhje, por kjo nuk po ndodh me dëshirën tonë dhe vullnetit tonë, por për shkak të shterjes së të gjitha rrugëve ligjore”, thotë ai.
Kurtishaj theksoi se ky sektor ka pasur humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
“Ne kemi pritur qeverinë për 6-7 muaj dhe kemi qenë partner i qeverisë, sepse e kemi pasur të qartë që nuk ka pasur mjete buxhetore deri në votimin e Ligjit për rimëkëmbjes ekonomike, por pas votimit të pakos për rimëkëmbje ekonomike ne kemi vazhduar edhe dialogun, ku kemi qenë pjesë e disa takimeve me ministrin, me kryeministrin dhe me ministrin e Financave për të arritur deri te mbështetja ose subvencionimin e transportit rrugor, sepse me dy vendime të veçanta nga Qeveria është ndaluar puna sektorit të transportit rrugor të udhëtarëve”, tha Kurtishaj.
Ai po ashtu thekson se protesta do të mbahet nëpër stacione të autobusëve, derisa të përmbushen kërkesat e premtuara nga Qeveria. Kjo shoqatë pret që të gjithë operatorët e transportuesit publik nesër do të marrin pjesë në protestë.