Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga nesër do të fillojë reduktimi i i pranisë së Policisë së Kosovës edhe 25% përreth objekteve komunale në veri të Kosovës. Kjo është bërë e ditur pasi policia ka mbajtur një takim me EULEX-in dhe KFOR-in.
Përmes një komunikate për media, policia ka thënë se nga ky takim i mbajtur është vlerësuar se situata në veri është e mirë.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizimit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës.