Nga nesër çerdhet publike do të fillojnë grevën në gjithë Kosovën. Kryetari i këshillit grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.
Ai thekson se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, derisa i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.
“Greva që fillon nesër dhe që do të vazhdojë deri në zgjidhjen e kërkesave, është ardhur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Jo nga SBAShK-u ose ndonjë federatë, por nga BSPK dhe në pajtueshmëri edhe të SBAShK-ut dhe të federatave të tjera. Fillon nesër dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të BSPK-së dhe federatave të tjera drejtuara qeverisë”, thekson Jasharaj.
Ai shton se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, muajve të fundit, është angazhuar për nxitjen e dialogut me qeverinë. Megjithatë Jasharaj tregon se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai komenton edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se paralajmërime të tilla janë kërcënim dhe bojkot.
“Jo, nuk është kërcënim e as bojkot dhe se mund të ketë greva e përgjithshme e kemi paralajmëruar qeverinë përmes mediave dhe përmes shkresave tani e sa muaj. Kemi insistuar dhe jemi angazhuar për dialog. Qeveria Kurti asnjë milimetër nuk e ka bërë në këtë çështje, nuk ka pranuar dialog dhe as të merret me kërkesat tona. Greva ka ardhur si produkt i kësaj çështje, i mungesës së dialogut”, shton Jasharaj.
Kryetari i SBAShK-ut njofton se nga nesër do të fillojë greva në të gjitha çerdhet publike.
“Nga përshtypjet e tyre që na i thanë është se SBAShK-u, sikur herëve të tjera do të jetë unik dhe i tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë. Mirëpo, natyra e kësaj greve ndryshon tek arsimi, pasi që nesër në grevë do të kemi çerdhet e Kosovës, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale”, përfundon ai.
Këshilli Grevist i BSPK-së nesër në orën 10:00 do të vizitojë çerdhen “Yllkat” dhe më pas do të takojë shërbyesit civilë në komunën e Prishtinës dhe gjykatat.