Me fillim nga ora 10:00, në seancën e nesërme do të betohen deputetët e rinj, të cilët zëvendësojnë ata që kaluan nëpër poste ministrore.
Po ashtu me propozim të grupeve parlamentare do të ndahen përgjegjësitë në 14 komisionet e votuara këtë javë, prej të cilave shtatë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa në shtatë të tjerat do të jenë shumicë me nga pesë deputetë.
Kështu edhe proceduralisht nga dita e nesërme hapet mundësia që me 40 nënshkrime të thirret seanca e jashtëzakonshme për të votuar për postin e presidentit.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit nga mbi 800 mijë votues, rezultatet ishin këto: Lëvizja Vetëvendosje 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë si dhe komunitetet jo shumicë kanë 10 deputetë.
Më 22 mars me 67 vota për votohet Qeveria Kurti 2. Rrjedhimisht bashkë me kandidatin për kryeministër, Vjosa Osmani shpalosi platformën me të cilën synon postin e presidentit.
Në procesin për ta votuar postin e presidentit, sipas Kushtetutës nevojiten 80 deputetë prezentë në sallë si dhe 80 vota brenda kutisë në mënyrë që të zhvillohet si proces.
Nëse në dy herët e para me këtë përbërje nuk arrihet të zgjidhet presidenti, atëherë në herën e tretë nevojiten 61 vota, vota të cilat tashmë i ka Lëvizja Vetëvendosje. Me 58 deputetë si dhe dhjetë vota të komunitetit jo-serb, tashmë janë të siguruara 68 vota për presidentin.
Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas katër takimeve me 33 anëtarët e kryesisë dhe takimit të fundit me 15 deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së, e ka konfirmuar se ky subjekt do ta përkrahë Vjosa Osmanin për presidente.
“Ikja nga përgjegjësia është më e lehta. Në politikë jemi për të bërë zgjidhje. Kam pasur dy mundësi, të zgjedh mosmarrjen pjesë në seancë dhe të pengojë shumicën. Ne kemi zgjedhur të dytën, atë të konstruktivitetit të institucioneve. Kam refuzuar politikën kushtëzuese”, theksoi Abdixhiku.
Nga 15 deputetët, e katër janë që nuk dihet ende qëndrimi për postin e presidentit, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj, Agim Veliu dhe Behgjet Pacolli. Për këta të fundit dhe të gjithë deputetët e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se pret që ta respektojnë vendimin për të qëndruar në sallë. Ndërsa kur u pyet se a do të ketë masa ndëshkimore ai tha se “nuk komentoj situatë hipotetike”.
AAK dhe PDK tashmë kanë qëndrime të prera se nuk e përkrahin Vjosa Osmanin për postin e presidentit.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se nuk kanë marrë ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e procesit të presidentit, prandaj janë kundër Osmanit për presidente.
“Ne kemi mirëpritur mundësinë me biseduar me fituesit e zgjedhjeve, me zotëri Kurtin dhe zonjën Osmani, nuk kemi marrë prej tyre propozim, kërkesë, marrëveshje politike për të votuar presidenten ose qeverinë, nuk kanë kërkuar prej neve bashkëpunim, nuk jemi pjesë e një marrëveshje për votimin e kandidates për presidente. Kemi parë qëndrimin e LDK-së, është një marrëdhënie e re në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por sa i përket Aleancës, nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Haradinaj.
Qëndrim edhe më të ashpër ka ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.
“PDK nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit. Ka qenë një figurë përçarëse, karrierën e saj e ka ngritur në frymën e përçarjes. Së dyti, ajo është një kandidate partiake, jo konsensuale për të qenë presidente. Ajo është treguar e njëanshme sa ka bërë detyrën e ushtrueses së presidentes, është e para që e ka përdorur zyrën për të bërë një parti politike”, tha ai.
Emir Abrashi nga organizata jo-qeveritare “Demokraci Plus”, thotë se është në përgjegjësinë e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të punojnë me deputëtet e LDK-së dhe ata nga komunitetet për postin e presidentit.
“Nëse këta tre ose katër deputetë nuk bëhen pjesë e Kuvendit, votimi për postin e presidentin do të dështojë. 58 Vetëvendosje, 10 komunitetet jo-serbe bëjnë 68. Vetëvendosje duhet të sigurohet t’i ketë këta dhjetë deputetë të komuniteteve dhe ata të LDK-së të jenë prezentë në sallë. Pra Kurti dhe Osmani të mos qëndrojnë pasiv, por t’i takojnë e t’i bindin ata”, thekson Abrashi.
Data e fundit kur Kosova duhet të ketë presidentin e ri në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje është 5 maji.
Ndër tri pikat e seancës së nesërme është “e ndryshme”, prandaj me 40 nënshkrime seanca për presidentin mund të thirret edhe gjatë ditës së nesërme.
(Autorë të tekstit janë Liridon Llozani, Ferdane Syla dhe Xhynetë Spahiu, studentë të vitit të tretë në Media dhe Komunikim në UBT)