UBT News

Nga NATO, te ShBA dhe BE – Kush ofron armë për Ukrainën dhe çfarë llojesh?

Prej javësh Ukraina i drejton lutje perëndimit për më shumë armë të rënda. Disa vende të NATO-s do të ofrojnë furnizime të tilla, por deri tani dihet se vetëm një vend i vogël i ka ofruar ato.

Mbijetesa e Ukrainës si shtet sovran mund të vendoset në Donbas – dhe varet nga ajo, se me çfarë armësh Ukraina do t’i dalë përballë pushtuesit rus. Prandaj qeveria ukrainase kërkon me kaq këmbëngulje pajisjen me armë të rënda të forcave të saj ushtarake. Këtu bëjnë pjesë tanke të tipit PzH 200, dhe raketahedhëse, si dhe anije lufte, helikopterë ushtarakë, avionë gjuajtës.

Ndërkohë gati të gjitha shtetet e NATO-s kanë dërguar armë të lehta, pajisje mbrojtëse apo municion, por jo armë të rënda, sepse shihej si rrezik që të interpretohej nga Rusia si ndërhyrje në luftë dhe me këtë të justifikohej një sulm ndaj NATO-s. Por tani para ofensivës së madhe që ka filluar në Donbas duket se njëri pas tjetrit vendet e NATO-s po i lenë mënjanë këto shqetësime. Një sërë vendesh të NATO-s kanë bërë të ditura, se do të dërgojnë armë të rënda. Për shkak të sekretit ushtarak shumë detaje nuk bëhen publike. Por disa informacione kanë rrjedhur.

Çekia

Qeveria e Pragës ishte ndër të parat që premtoi furnizime me armë për Ukrainën. Që në janar me marshimin e trupave ruse në kufirin ukrainas, Çekia ofroi municion luftarak dhe granata tankesh që përshtateshin me sistemet sovjetike të armëve që shumë ish-vende të Traktatit të Varshavës i kanë ende në arsenalet e tyre. Me gjasë, Çekia është vendi i parë që i ka dhënë Ukrainës tanke po nga rezervat sovjetike. Dhe jo vetëm tipin mbrojtës BMP, por edhe tanke luftarake të tipit T-72. Të dyja këto ushtria ukrainase i ka pasur në përdorim.

Polonia

Edhe Polonia ka kontribuar para luftës për modernizimin e ushtrisë ukrainase dhe ka ofruar sisteme armësh ruse të zhvilluara më tej së bashku me municione. Propozimi i Polonisë në fillim të marsit që të dërgohen avionë ushtaraë të tipit MiG29 u frenua nga partnerët e tjerë të NATO-s. Në fillim të prillit Varshava solli një propozim tjetër, stacionimin e armëve atomike në vend. Tani ky vend ka premtuar edhe armë të rënda, por nuk jep detaje për këtë.

Sllovenia

Edhe ky vend është i gatshëm të japë tanke nga rezervat sovjetike. Si kompensim Gjermania ka ofruar tanke mbrojtës dhe përgjimi të tipit Marder dhe Luchs. Sipas agjencisë së lajmeve, dpa, Sllovenia kërkon modele moderne pasuese, Puma dhe Boxer si edhe zëvendësimin e tankeve luftarake me tankun gjerman Leopard 2.

Turqia

Turqia i ka shitur Ukrainës në vitet e kaluara të paktën 20 avionë luftarakë dhe përgjues të tipit Bayraktar TB2. Këto furnizime nuk janë të lidhura me sulmin rus, sepse janë ofruar më parë, por realisht ato janë armët e vetme sulmuese të ofruar nga vende të NATO-s, të cilat Ukraina i ka vënë në përdorim.

Gjermania

Qeveria gjermane nuk do të dërgojë armë të rënda në Ukrainë. Në vend të kësaj ajo i ofron Kievit tanke mbrojtës, granata, drone, pajisje mbrojtëse dhe municion nga rezervat e industrisë. Në ofertë si arma më e rëndë janë 12 granatahedhëse të kalibrit 120 mm deri në një distancë 7.5 km.

Shtete të tjera të NATO-s

Ndërkohë që Italia dhe Franca gati nuk bëjnë aspak publike furnizime me armë për Ukrainën, vende të tjera të NATO-s ka bërë të ditura zyrtarisht dërgimin e armëve të rënda, mes tyre Belgjika, Norvegjia, Kanadaja. Më konkretisht është shprehur kryeministri, Boris Johnson, që përmendi dërgimin e raketave që mund të sulmojnë në det, dhe kryeministri holandez, Mark Rutte që bëri fjalë për dërgimin e tankeve.

ShBA

Deri më tani ShBA ka dhënë kontributin më të madh për ushtrinë ukrainase. Rreth 2,5 miliardë dollarë ka miratuar Uashingtoni që nga fillimi i luftës. Kështu ushtria ukrainase me raketat antitank, Javelin  ka shkatërruar një sërë tankesh rusë. Javën e kaluar Uashingtoni bëri të ditur dërgimin sa më shpejt të 18 pajisjeve të artilerisë së rëndë me 40.000 pjesë municioni, 300 automjete të blinduara, 11 helikopterë transportues MI-17 si edhe armë të tjera. Një pjesë e furnizimeve ushtarake ka mbërritur ndërkohë. Presidentin Biden ka premtuar ndihma të tjera.

Bashkimi Evropian

BE ka miratuar që nga fillimi i luftës 1,5 miliardë euro të ashtuquajturat opsionet e paqes, nga të cilat shtetet anëtare mund të blejnë për Ukrainën “pajisje mbrojtëse, paketa të ndihmës së parë, karburante, si dhe pajisje ushtarake dhe platforma me të cilat për qëllime mbrojtëse mund të përdoret dhunë vdekjeprurëse”. Por me këto fonde nuk lejohet të financohen armë të rënda, siç duan tani shumë vende të NATO-s.

Deri tani jo furnizime me avionë luftarakë

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby bëri të ditur këtë javë, se Ukraina ka marrë edhe avionë luftarakë të tipit MiG- 29 nga ish-vende të paktit të Varshavës. Këtë pohim Kirby e ka tërhequr ndërkohë. Kanë qenë vetëm pjesë këmbimi, me të cilat avionët mund të rivihen në punë. Në të njëjtën kohë vazhdon debati, nëse armë të tilla MiG-29 do duhet të furnizohen nga Polonia, Bullgaria apo Rumania. Pilotët ukrainas e njohin këtë tip avioni dhe mund ta përdorin atë, ndryshe nga avionët perëndimorë, ku kanë nevojë për trajnim të veçantë./DW

Exit mobile version