Ylli i muzikës, Dua Lipa, ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe drejt botës së mirëqenies.
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare ka bërë të ditur se është bashkuar si bashkëthemeluese dhe drejtoreshë kreative e një marke të re. Marka “Frame” ka si qëllim të riformësojë mënyrën se si praktikohet pilatesi, sipas Lipës.
Në një postim në Instagram, ajo ka treguar se gjithçka nisi si një përpjekje për të sjellë lëvizjen e ndërgjegjshme në jetën e përditshme, por tashmë ka evoluar në diçka më të madhe — një qasje krejtësisht të re ndaj mirëqenies.
“Po krijojmë më shumë se thjesht ushtrime për në shtëpi. Po ndërtojmë një stil jetese që përshtatet me ty, frymëzon qëndrueshmëri dhe hap hapësirë për lëvizje, pavarësisht vendit ku ndodhesh”, ka shkruar ajo. /A.Z/UBT News/