Drejtori i minierës me flotacion “Trepça”, Nexhat Dedia deklaroi se asnjë punëtor nuk është suspenduar nga puna, por vetëm u është tërhequr vërejtja.
Ai në një intervistë për KosovaPress deklaroi se puna në minierë është duke vazhduar me kapacitete të plota.
“Nuk është suspenduar asnjë punëtor. Pavarësisht se kanë shkelur rregulloren e punës, atyre u është tërhequr vërejtja dhe asgjë më shumë. Puna në minierë është duke vazhduar me kapacitete të plota”, ka thënë shkurt Dedia.
Edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Gani Osmani, ka konfirmuar se punëtorëve vetëm u është tërhequr vërejta.
“Nuk ka suspendim nga puna, vetëm u është tërhequr vërejtja dhe çdo gjë është në rregull”, theksoi për KosovaPress Osmani.
Në paraditen e së enjtes rreth kësaj çështje ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai iu është referuar lajmit për largimin e tyre nga puna, për çka thotë se është i papranueshëm./KP