Ministria e Financave ka njoftuar se për shkak të përformancës së mirë financiare dhe hapësirës fiskale të krijuar, sot është marrë vendimi që prej këtij muaji të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e tutje.
Ministri Hekuran Murati njoftoi se aplikimi për këto shtesa do të hapet prej ditës së nesërme e deri më 24 tetor.
“Për të përfituar nga ky muaj e tutje, aplikimi duhet të bëhet më së largu deri me 24 tetor. Aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues. Pas pilotimit me sukses të masës së shtesave për fëmijë, kemi vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim. Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK. Pra tani e tutje, që të pranohet aplikimi, duhet të siguroheni se llogaria është në emrin e nënës”, thuhet në njoftimin e MF-së./UBTNews