Korporata Energjetike e Kosovës-KEK është deklaruar rreth bastisjes në zyrat qendrore të saj në Prishtinë, me ç’rast ka potencuar se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pas një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, është bërë e ditur në komunikatë.
KEK-u ka shtuar se mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit.
Lajmin për bastisjen në KEK e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës ka zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, është bërë e ditur në përgjigjen e Policisë.
Motivet janë rreth një tenderi për njërin prej termocentraleve.