Facebook ka ndryshuar emrin në Meta. Ndryshimi nuk do të aplikohet në platformat individuale sikurse Facebook, Instagram dhe Whatsapp, por vetëm në kompaninë amë që i ka në pronësi.
Sipas kompanisë, emri i ri do të përfshijë të gjithë punën që e bën kompania, meqë po zgjeron shtrirjen e saj përtej mediave sociale në fusha si realiteti virtual.
Ky ndryshim i emrit vjen pas një morie ngjarjesh negative për Facebook-un, pas publikimit të disa dokumenteve nga një ish-punonjësve e kompanisë. Frances Haugen, e cila ka punuar më parë në këtë kompani, e ka fajësuar Facebook-un se ka prioritet përfitimin përpara sigurisë.
“Meta” rrjedh nga një fjalë greke që do të thotë “përtej”. Themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg thotë se emri i ri nënkupton që me kalimin e kohës, përdoruesve nuk do t’ju duhet të përdorin Facebook-un për të përdorur edhe shërbimet tjera të kompanisë./UBTNews