Nga e hëna do të fillojnë punën sektori i gastronomisë dhe qendrat tregtare duke i respektuar në përpikëri masat antiCOVID. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL përmes një komunikate për media dha më shumë detaje rreth takimit që zhvilluan sot me Ministrinë e Shëndetësisë dhe kryetarët e komunave.
Sipas njoftimit, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se qëllimi i këtij takimi është bashkërendimi i veprimeve në mes institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal në parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
“Duhet ta kemi të qartë se situata në institucionet shëndetësore është mjaft alarmante sepse këto institucione janë të stërngarkuara më pacientë të infektuar më COVID-19 dhe hapësira e këtyre institucioneve është afër limiteve. Masat e ndërmarra përfundojnë me 18 prill 2021 dhe me 19 prill duhen masa të reja për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19. Është shumë e rëndësishme që sot të diskutojmë bashkërisht që masat që do të hyjnë në fuqi të koordinohen së bashku me nivelin lokal dhe propozimet e juaja si kryetarë dhe përfaqësues të komunave janë shumë të rëndësishme. Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është furnizimi me vaksina anti-COVID. Jemi në rrugë të mirë, që në muajt në vijim të gjithë të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare do të kenë mundësinë të vaksinohen”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Në anën tjetër, ministri Elbert Krasniqi u zotua se edhe MAPL është duke analizuar mundësinë që të mbështes komunat, sidomos sektorin shëndetësor primar në nivelin lokal./UBTNews