Reece Weaver ka lënë pas çizmet e cheerleader-it dhe është ngjitur në skenën e Broadway-t, duke marrë një nga rolet më të njohura të muzikalit “Chicago”.
Ish-cheerleader-ja e Dallas Cowboys u bë e njohur për publikun përmes dokumentarit të Netflixit “America’s Sweethearts: Dallas Cowboys Cheerleaders”, ku largimi i saj nga skuadra ishte një nga ngjarjet kryesore të sezonit të tretë.
Tashmë Weaver ka bërë debutimin e saj në Broadway, duke marrë rolin e Roxie Hart, një prej personazheve kryesore të “Chicago”. Ajo është ngjitur në skenën e “Ambassador Theatre” në New York, ku performanca e saj është pritur me duartrokitje nga publiku.
Megjithatë, përzgjedhja e saj kishte shkaktuar diskutime, pasi disa kritikë ngritën dyshime nëse roli iu dha më shumë për shkak të famës së saj sesa aftësive artistike.
Kritiku i teatrit Mickey-Jo Boucher e konsideron këtë praktikë, të njohur si “stunt casting”, një mënyrë për të tërhequr publikun, veçanërisht për shfaqjet që kanë filluar të kenë më pak interes në shitjen e biletave. Sipas tij, megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet aq e zakonshme sa të dëmtojë aktorët profesionistë dhe cilësinë e shfaqjeve.
Weaver, e cila ka kërcyer dhe performuar që në moshë të re, kishte thënë pas konfirmimit të rolit se të performonte në Broadway ishte një nga ëndrrat e saj më të mëdha.
Debutimi i saj ka tërhequr edhe fansa të shumtë të dokumentarit të Netflixit, të cilët kanë shkuar në teatër për ta parë atë në skenë.
Roli i Roxie Hart pritet ta mbajë Weaver në Broadway për gjashtë javë, deri më 18 tetor.
