Netflix pritet të sjellë javën e ardhshme një adaptim të ri të “Little House on the Prairie”, bazuar në serinë e njohur të librave për fëmijë të autores Laura Ingalls Wilder.
Seriali origjinal, i transmetuar nga viti 1974 deri në 1984, u bë një fenomen televiziv ndërkombëtar, duke ndjekur jetën e familjes Ingalls në qytetin Walnut Grove të Minesotës gjatë shekullit XIX. Ai tërhoqi deri në 20 milionë shikues për episod në Shtetet e Bashkuara dhe u transmetua në më shumë se 100 vende të botës.
Edhe pse shumë njerëz e kujtojnë si një serial të ngrohtë familjar, kritikët theksojnë se versioni i viteve ’70 trajtoi tema shumë më të rënda sesa përshtypja që ka lënë te publiku.
Përveç historive për jetën e përditshme në komunitet, seriali përfshinte edhe tema si abuzimi i fëmijëve, vrasjet, varësia nga droga, vetëvrasja, problemet e shëndetit mendor, kanceri dhe vështirësitë e shtatzënisë.
Sipas studiuesve të televizionit, këto histori pasqyronin realitetin e ashpër të jetës në kufirin amerikan gjatë shekullit XIX, ku sëmundjet, humbja e fëmijëve dhe komplikimet gjatë lindjes ishin të zakonshme.
Versioni i ri i Netflix-it pritet t’i qëndrojë më besnik toneve familjare dhe frymës së librave origjinalë të Laura Ingalls Wilder, duke ofruar një qasje më të afërt me materialin burimor.
Mbetet të shihet nëse adaptimi i ri do të arrijë suksesin dhe ndikimin kulturor që pati seriali origjinal, i cili edhe sot vazhdon të mbetet ndër produksionet televizive më të dashura për disa breza shikuesish./BBC/A.K/
