Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron kartonin e gjelbër, por që akoma pengesë mbetet mosanëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kështu është thënë sot pas takimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku.
Guvernatori Mehmeti i cili vizitoi BKS-në me bashkëpunëtorë, tha se masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë ndikuar negativisht në rënien e aktivitetit ekonomik dhe kështu pandemia COVID-19 e ka goditur edhe industrinë e sigurimeve.
Ai tha se vitet e fundit vërehet një përmirësim i këtij sektori dhe masat e marra të BQK-së kanë qenë efektive. Teksa shtoi se problem mbeten edhe automjetet e paregjistruara, të cilat sipas tij për çdo ditë rrezikojnë jetën e qytetarëve.
“Sa i përket dëmeve të paguara bruto arritën diku rreth 46 milionë euro apo një rënie të lehtë rreth 4 përqind dhe kjo rënie është si rezultat i aplikimit të masave kufizuese të lëvizjes në fillim të vitit të kaluar. Sa i përket Byrosë Kosovare të Sigurimeve kemi rënie të primeve nga sigurimi kufitar përreth 40 përqind, ndërsa shuma e përgjithshme e arkëtuar në vitin 2020 ishte rreth 4 milionë euro, ndërkaq në anën tjetër pagesa e dëmeve arriti në 5.85 milionë euro. Një problem tjetër që kemi diskutuar edhe më herët, janë automjetet e pasiguruara të cilat qarkullojnë nëpër rrugë të Republikës së Kosovës, të cilat çdo ditë e më shumë e rrezikojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”, theksoi Mehmeti.
Mehmeti tha se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e BQK-së dhe institucioneve të tjera shtetërore për anëtarësim në Këshillin e Byrosë, ende nuk është arritur që Kosova të anëtarësohet në këtë Këshill apo të gjejë ndonjë rrugë alternative me qëllim që të eliminohet pagesa e policave kufitare.
“Sa i përket kartonit të gjelbër, të gjitha kushtet që janë kërkuar për anëtarësim në Këshillin e Byrove janë plotësuar, një ndër ato kushtet Ligji për sigurimet e detyrueshëm tash veç ekziston, themelimi i Fondit garantues prej 4 milionë euro ka ndodhur, mirëpo megjithatë pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim ka ndodhur një pengesë që Kosova mos të jetë anëtare në Këshillin e Byrove si rezultat i mospranimit në Kombet e Bashkuara”, tha ai.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku tha se edhe më tutje shqetësim i tyre mbetet numri shumë i madh i automjeteve të pasiguruara.
Mazreku tha se dëmi që këto i sjellin BKS-së dhe shtetit e kalojnë shumën mbi 3 milionë euro. Ai ka kërkuar ndihmën e BQK-së, por edhe të institucioneve të tjera që ta ushtrojnë ndikimin e tyre për të ndaluar këtë trend negativ.
“Aktualisht kemi rreth 150 mijë automjete të paregjistruara që përbën 35 përqind të numrit të përgjithshëm në Kosovë, për çka ne duhet të punojmë që këtë numër ta ulim në masën prej 5 përqind pastaj të vazhdojmë me forma alternative me ndonjë shtet mik që të gjejmë zgjidhje për Kartonin e gjelbër”, tha Mazreku.
Kurse, zëvendësguvernatori, Sokol Havolli tha se BQK-ja për një periudhë të konsiderueshme ka përgatitur terrenin për të marrë reforma në sektorin e sigurimeve.