UBT News

Nga boom në rënie, blerja e automjeteve elektrike nuk është më prioritet

Interesi për automjetet elektrike në Holandë ka pësuar rënie të ndjeshme.

Sipas një studimi të ANWB-së, për herë të parë pas disa vitesh rritjeje, vetëm 23% e qytetarëve holandezë planifikojnë të kalojnë në automjete elektrike brenda pesë viteve të ardhshme — nga 28% sa ishte më herët.

Kjo rënie prej pesë pikësh përqindjeje tregon një kthesë të madhe në trendet e mëparshme.

Ndërkohë, numri i personave që nuk synojnë të blejnë vetura elektrike është bërë më i madh se i atyre që shprehin interes.

ANWB këtë ndryshim e lidh me politikat e reja të qeverisë holandeze, e cila ka reduktuar stimujt për veturat elektrike.

Nga viti 2024, pronarët e këtyre automjeteve do të paguajnë taksën mbi automjetet motorike (MRB), gjë që e rrit kostën e mbajtjes së tyre.

Përveç heqjes së përfitimeve, mbeten të pranishme edhe shqetësimet e zakonshme: çmimet e larta të automjeteve elektrike, frika për degradimin e baterive dhe vështirësitë e ngarkimit në shtëpi. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version