Neurologu Nexhmedin Shala tha se qytetarët duhet të marrin vaksinat antiCOVID dhe tha se u takon instancave shtetërore ta hartojnë një plan operativ të vaksinimit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala tha se qytetarët nuk duhet që të hezitojnë që të përdorin të gjitha llojet e vaksinave të konfirmuara.
“Unë mendoj që vaksinimi është gjëja më e mirë që ka ndodhur në këtë kohë pandemie. Vaksinimi ka luajtur rol zgjedhës të pandemitë e përparshme. Mendoj që popullata duhet t’i nënshtrohet një plani operativ të vaksinimit dhe të mos hezitojnë të përdorin të gjitha llojet e vaksinimit që popullata të imunizohet, e si do të shkojë ky proces, iu takon instancave shtetërore”, shtoi Shala.
Mes tjerash, ai shtoi se në Klinikën e Neurologjisë përveç problemeve neurologjike, ka pacientë që janë të infektuar edhe me COVID-19.
Kosova më 28 mars pranoi kontigjentin e parë prej 24 mijë vaksinave AstraZeneca, e procesi i imunizimit ka nisur zyrtarisht më 29 mars.