UBT News

“Netflix” synon të ulë kostot, shkurton rreth 1000 vende pune

Gjiganti i transmetimit të filmave dhe serialeve, Netflix, planifikon të shkurtojë rreth 6 për qind të vendeve të punës, në një kohë kur po përballet me ngadalësimin e rritjes së biznesit, raporton revista “Variety”.

Lajmi u bë i ditur nga bashkëdrejtuesit ekzekutivë të kompanisë, Greg Peters dhe Ted Sarandos.

Në fund të vitit të kaluar, Netflix kishte rreth 16 mijë punonjës, çka do të thotë se shkurtimet mund të prekin afërsisht 1.000 vende pune. Sipas raportimeve, masat do të përfshijnë disa sektorë, mes tyre burimet njerëzore, shërbimet ligjore dhe teknologjinë.

Disa javë më parë, Sarandos kishte pranuar se kompania po rritej më ngadalë sesa do të dëshironte.

Megjithatë, Netflix vazhdon të jetë një nga platformat kryesore globale të transmetimit. Sipas të dhënave të kompanisë, në fund të vitit 2025 shërbimi kishte më shumë se 325 milionë familje abonente.

Ndërkohë, gara në industrinë e transmetimit po intensifikohet. Pasi oferta e Netflix për të blerë aktivitetet e prodhimit të filmave dhe serialeve të Warner Bros u tejkalua nga Skydance, kjo e fundit synon të bashkojë platformën Paramount+ me HBO Max, duke krijuar një konkurrent më të fuqishëm në treg.

Pavarësisht shkurtimeve të planifikuara, drejtuesit e Netflix kanë theksuar se kompania do të vazhdojë të investojë në fushat me potencial të lartë rritjeje. Rezultatet e ardhshme financiare tremujore pritet të japin më shumë detaje për ecurinë e biznesit./A.K/

Exit mobile version