Platforma e njohur Netflix ka publikuar trailerin e parë të serialit komedik “Man vs Baby”, ku protagonist është aktori i famshëm britanik Rowan Atkinson.
Ky serial me katër pjesë e rikthen aktorin e “Mr. Bean” në një rol të ngjashëm me atë të mini-serialit të tij të vitit 2022, “Man vs Bee”.
I shkruar dhe krijuar nga vetë Rowan Atkinson, 70 vjeç, në bashkëpunim me skenaristin Will Davies, seriali i ri pritet të publikohet para Krishtlindjeve, dhe do të përbëhet nga katër episode, secila me kohëzgjatje prej 30 minutash.
Netflix ka konfirmuar se premiera do të jetë më 11 dhjetor. Në këtë produksion, Atkinson luan rolin e Trevor Bingley, një kujdestar shkolle që, pas largimit nga puna si rojtar shtëpie, pranon një ofertë për një vend pune në një penthouse luksoz.
Në ditën e fundit të vitit shkollor, situata i del jashtë kontrollit kur askush nuk paraqitet për të marrë foshnjën që luan Jezusin në dramën e shkollës, duke e lënë Trevorin përballë një shoqëruesi të vogël dhe krejt të papritur.
Përmes trailerit të publikuar në YouTube, shikuesit mund të kenë një pasqyrë të parë të humorit tipik të Atkinson dhe situatave qesharake që e presin në këtë mini-serial të ri. /A.Z/UBT News/

