Netflix ka njoftuar publikimin e një dokumentari të ri kushtuar komedianit dhe aktorit legjendar Eddie Murphy, me titull “Being Eddie”, i cili do të publikohet në nëntor.
Filmi, i drejtuar nga fituesi i dyfishtë i çmimit Oscar, Angus Wall, sjell në ekran një vështrim të plotë mbi karrierën gati 50-vjeçare të Murphy-t, ndërsa roli i tij do të interpretohet nga disa prej emrave më të njohur të kinemasë.
Sipas përmbledhjes zyrtare të publikuar nga Netflix: “Është e qartë se ekziston një Eddie Murphy. Asnjë komedian tjetër nuk ka ndarë skenën me Jerry Seinfeld në moshën 17-vjeçare e nuk i është bashkuar kastit të Saturday Night Live menjëherë pas diplomimit në shkollë të mesme. Asnjë aktor nuk ka luajtur njëkohësisht rolin e një polici, një mjeku dhe një gomari – duke dominuar çdo aspekt të Hollivudit.”
Në njoftim thuhet: “Janë pak njerëz që kanë ruajtur famën për më shumë se katër dekada pa u dorëzuar përballë anës së errët. Kombinimi unik i karizmës shpërthyese, ambicies së përqendruar, talentit dhe kujdesit të thellë njerëzor e vendos Murphy-n në një kategori të veçantë – cilësi që reflektohen plotësisht në Being Eddie.”
Dokumentari përfshin paraqitjet e disa figurave më të njohura, si Jamie Foxx, Dave Chappelle, Tracee Ellis Ross dhe Reginald Hudlin, që bashkohen për të nderuar dhe rikujtuar karrierën e Eddie Murphy-t, duke zbuluar edhe anën e tij më të brendshme dhe frymëzuese.
Dokumentari “Being Eddie” do të publikohet në Netflix më 12 nëntor. /A.Z/UBT News/