Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se shteti i tij synon të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazës, pavarësisht kritikave të ashpra nga aleatët ndërkombëtarë si Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja.
Këto tri shtete, në një deklaratë të përbashkët, dënuan përshkallëzimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe e cilësuan situatën në Gaza si “të patolerueshme”. Ato e quajtën ndërhyrjen “joproporcionale” dhe paralajmëruan se, nëse Izraeli nuk ndal ofensivën dhe nuk lehtëson qasjen në ndihma humanitare, do të ndërmarrin hapa konkretë në përgjigje.
“Nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa vazhdojnë veprimet e dhunshme dhe bllokada ndaj civilëve në Gaza”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të tri qeverive.
Netanyahu reagoi duke theksuar se Izraeli do të mbrojë veten “deri në fitore të plotë”, duke akuzuar liderët e vendeve perëndimore për, siç u shpreh ai, “justifikim të sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit” dhe “nxitje të dhunës kundër popullit izraelit”.
Në dritën e presionit të shtuar ndërkombëtar, qeveria izraelite ka nisur të lehtësojë kufizimet për ndihmat humanitare në Gaza. Shefi i ndihmës në OKB, Tom Fletcher, konfirmoi se të hënën janë lejuar të kalojnë nëntë kamionë me ndihma përmes vendkalimit Keren Shalom – kjo për herë të parë pas më shumë se 11 javësh bllokadë të plotë.