Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u tha izraelitëve se Irani “bëri një gabim të madh” dhe “do të paguajë” për sulmin raketor ndaj Izraelit.
“Sonte, Irani sulmoi sërish Izraelin me qindra raketa. Ky sulm dështoi. Ai u pengua falë sistemit të mbrojtjes ajrore të Izraelit, i cili është më i avancuari në botë”, tha Netanyahu nga një takim me kabinetin e sigurisë politike, në një video të publikuar nga zyra e shtypit e qeverisë izraelite të martën.
“Sulmi është penguar falë vigjilencës dhe përgjegjësisë së treguar nga ju – qytetarët e Izraelit. Falenderoj gjithashtu Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në përpjekjet tona të mbrojtjes”, shtoi Netanyahu.
“Irani bëri një gabim të madh sonte – dhe do të paguajë për të. Regjimi në Iran nuk e kupton vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe vendosmërinë tonë për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë”, tha ai.