Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të dielën se “faza intensive e luftimeve me Hamasin (në Gaza) do të përfundojë”, dhe se fokusi i ushtrisë mund të zhvendoset në kufirin verior me Libanin, ku janë intensifikuar luftimet me grupin Hezbollah javët e fundit.
Sidoqoftë, sipas Netanyahut, Izraeli do të vazhdojë operacionet në Gaza deri në shpërbërjen e grupit Hamas.
“Kjo nuk do të thotë se lufta do të përfundojë, por lufta në fazën e saj aktuale do të përfundojë në Rafah. Kjo është e vertetë”, tha Netanyahu për Televizionin Channel 14.
Më shumë se 1 milion palestinezë po strehoheshin në Rafah para se Izraeli të fillonte operacionet ajrore dhe tokësore në qytetin jugor të Gazës, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar. Që nga atëherë, rreth 800 mijë njerëz janë zhvendosur nga Rafah.
Pikëkalimi kufitar i qytetit me Egjiptin, që konsiderohet pika kryesore për hyrjen e ndihmave humanitare, ishte e mbyllur qëkur ushtria izraelite e pushtoi atë në fillim të muajit të kaluar.
Presioni ndërkombëtar lidhur me veprimet e Izraelit në Gaza është rritur qëkur nisi operacionin e tij në Rafah. Muajin e kaluar, gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin që të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak atje, duke e quajtur situatë humanitare “katastrofike”./UBTNews/