Netanyahu po ashtu gjendet në një moment të ndjeshëm politik. Ai po përballet me presion nga familjet e pengjeve në Izrael, të cilët po kërkojnë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi e cila do të mundësonte lirimin e familjarëve të tyre. Ndërkaq, në anën tjetër anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit të tij qeverisës po i kërkojnë udhëheqësit izraelit që të mos pranojë asnjë marrëveshje që do t’ua pamundësonte trupave izraelite të eliminojnë Hamasin.
Një ditë më herët, Netanyahu mbajti një fjalim para Kongresit amerikan, ku tha se lufta e shtetit të tij kundër Hamasit, që mbështetet nga Irani “po mban trupat amerikane larg nga terreni dhe po mbron interesat tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke mbajtur fjalim para anëtarëve të Kongresit amerikan.
“Mbajeni mend: Armiqtë tanë janë edhe armiqtë tuaj. Lufta jonë është lufta juaj. Fitorja jonë do të jetë edhe fitorja juaj”, tha ai para ligjvënësve amerikanë.
Gjatë fjalimit, Netanyahu lavdëroi Bidenin për mbështetjen pas sulmit të 7 tetorit, kur Hamasi vrau 1.200 persona në jug të Izraelit, dhe rrëmbeu 250 të tjerë.
Gjatë fjalimit, Netanyahu po ashtu përmendi veprimet e ndërmarra nga Trumpi gjatë mandatit të tij presidencial, nga të cilat ka përfituar Izraeli, përfshirë njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e Golanit, luftimin e agresionit të Iranit dhe zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Netanyahu pritet që të premten të udhëtojë për në Florida, ku do të takohet me kandidatin republikan për president, Donald Trump./REL