UBT News

Netanyahu miraton armëpushim në Liban

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka miratuar armëpushimin me Hezbollahun në Liban, pas një periudhe bisedimesh ndërmjetësuese. Sipas raportimeve të mediave izraelite, qeveria e Tel Avivit ka dhënë dritën jeshile për arritjen e armëpushimit, duke lejuar Amos Hochstein, këshilltarin e lartë të presidentit amerikan Joe Biden, të ndërmjetësojë mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Në një takim të zhvilluar mbrëmë për sigurinë, ku morën pjesë Netanyahu dhe disa ministra, është diskutuar mbi propozimin për armëpushim dhe është dhënë miratimi për të avancuar me këtë marrëveshje. Raportohet se diskutimet janë përqendruar në sigurinë e vijës kufitare mes Sirisë dhe Libanit, si dhe në rolin e ushtrisë izraelite në këtë zonë. Izraeli ka kërkuar dhe marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar lirinë e veprimit të ushtrisë izraelite në kufi në rast të shkeljeve të armëpushimit.

Burime të paidentifikuara izraelite kanë njoftuar se “armëpushimi pritet të shpallet brenda dy ditëve”. Gjithashtu, ato kanë shtuar se “marrëveshja me Libanin është tashmë nënshkruar”, dhe Netanyahu po punon për të shpallur zyrtarisht këtë lajm për opinionin publik. Kjo marrëveshje vjen pas javësh tensionesh dhe përplasjeve ushtarake në kufirin libanez, duke ofruar një mundësi për uljen e tensioneve në rajon./UBTNews/

Exit mobile version