Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të premten se Izraeli do ta detyrojë Hamasin të paguajë pasi nuk liruan trupin e një pengu, Shiri Bibas siç ishte rënë dakord.
“Ne do të veprojmë me vendosmëri për ta sjellë Shirin në shtëpi së bashku me të gjithë pengjet tanë, të gjallë dhe të vdekur dhe të sigurojmë që Hamasi të paguajë çmimin e plotë për këtë shkelje mizore dhe të keqe të marrëveshjes,” tha ai në një deklaratë video.
Deklarata erdhi pasi specialistët izraelitë thanë se një nga katër trupat e dorëzuar nga Hamasi të enjten ishte një grua e paidentifikuar dhe jo Shiri Bibas , dy djemtë e së cilës, Kfir dhe Ariel u dorëzuan dhe u identifikuan.
Netanyahu akuzoi Hamasin se po vepronte “në një mënyrë cinike të papërshkrueshme” duke vendosur trupin e një gruaje nga Gaza në arkivol në vend të Shiri Bibas, e cila u rrëmbye së bashku me dy djemtë e saj dhe burrin e saj, Yarden, gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.
Hamasi nuk ka dhënë asnjë koment publik deri më tani për akuzën izraelite, e cila kërcënon të prishë marrëveshjen e brishtë të armëpushimit të arritur me mbështetjen e SHBA-së dhe me ndihmën e ndërmjetësuesve të Katarit dhe Egjiptit muajin e kaluar.
Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse do të vononte apo do të parandalonte dorëzimin e gjashtë pengjeve të gjallë që do të liroheshin të shtunën, apo nëse do të ndërpriste fillimin e negociatave për një fazë të dytë të armëpushimit, që pritet në ditët në vijim.