UBT News

Netanyahu diskuton marrëveshjen për pranimin e fajësisë në rastin e korrupsionit

Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke negociuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorin e Përgjithshëm, Avichai Mandelbilt, për t’i dhënë fund një rasti korrupsioni kundër tij, thanë burimet të dielën.

Bisedimet mes ish-kryeministrit dhe prokurorit kanë hasur në “një ngërç” lidhur me mundësinë që Netanyahu të përjashtohet nga kandidimi sërish për postin politik, sipas burimeve të cituara nga agjencitë e lajmeve AP dhe Reuters.

Netanyahu kundërshton dënimin që mund ta detyrojë të largohet nga arena politike për vite me radhë. Ai shpreson të deklarohet fajtor për akuza më të vogla dhe të bëjë shërbim në komunitet në vend që të përballet me burg.

Marrëveshja mund të nënshkruhet që në fillim të kësaj jave, raporton AP, transmeton UBT News.

Të shtunën mbrëma, protestuesit u mblodhën jashtë shtëpisë së Mandebilt për të kundërshtuar çdo marrëveshje me ish-kryeministrin e vendit.

Ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, shkroi në Twitter: Njeriu që punoi për të shkatërruar besimin e publikut në themelet e demokracisë për arsye personale nuk është i përshtatshëm për marrëveshje.

Çdo marrëveshje për pranimin e fajësisë ka të ngjarë të kundërshtohet në gjykatë.

Me çfarë akuzash përballet Netanyahu?

Netanyahu përballet me tre raste që përfshijnë ryshfet, shkelje të besimit dhe mashtrim. Çështjet po gjykohen së bashku.

Ai ishte akuzuar në vitin 2019.

Rasti i parë pretendon se ai mori qindra mijëra dollarë dhurata nga persona të njohur të pasur.

Rasti i dytë pretendon se Netanyahu u përpoq të shkëmbente mbulim pozitiv për legjislacionin që do të kishte shkatërruar rivalin kryesor të një gazete të madhe.

Dhe rasti i fundit pretendon se ai mbështeti legjislacionin që do t’i kishte shpëtuar pronarit të Bezeq – një firmë izraelite telekomi – qindra miliona dollarë në këmbim të mbulimit të favorshëm në faqen e lajmeve Walla.

Netanyahu u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat./UBTNews/

Exit mobile version