Deputetët do të mblidhen sërish nesër, më 10 tetor, për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, seanca do të vazhdojë në orën 10:00.
Seanca do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës: Zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.
Të mërkurën, më 8 tetor, Gjykata Kushtetuese e ka publikuar akgjykimin e plotë pas ankesës së Listes Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin konstituimit.
Afati prej 12 ditësh rrjedh prej ditës kur akgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.
Kushtetuesja ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit./D.B/KP