8 prilli i vitit 2021 është dita e fundit kur u pa Bedri Rexhepi. E tek tashti, pas më shumë se një viti e gjysmë u mor vesh se biznesmeni nga Lipjani u vra. Pista e hetimeve çoi në mbetjet e tij mortore, që u gjetën 3 javë më parë në Novobërdë, derisa për vrasjen e të riut po dyshohen dy persona.
“Pas hetimit, sigurimit të të gjitha provave dhe dëshmive, kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar dhe kam ngritur aktakuzë kundër dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu në drejtim të veprës penale ‘Vrasja e rëndë në bashkëkryerje’ dhe ‘Dëmtimi varreve apo kufomave’”, tha prokurori i rastit, Armend Hamiti.
Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit 18-mujor rezultoi se vrasja ka ndodhur për shkak të fitimit material, rreth 30 mijë euro. E pas kësaj ka reaguar vëllai i tij, Adnan Rexhepi.
“Shpresa e lutjet që ta gjenim të gjallë vëllain tonë na mbajtën të fortë gjatë gjithë kësaj kohe, por ja që tani na u shua çdo shpresë! Ne këto ditë që i kaluam dhe po i kalojmë, ju falënderojmë përzemërsisht të gjithë juve që në çfarëdo forme ishit bashkë me ne, na qëndruat afër, ofruat ndihmën tuaj që dhimbjen e mërzinë ta ndajmë së bashku. Tani e tutje lutja jonë e vetme është që shpirti i tij të pushoj në parajsë, e drejtësia të vijë në vendin e duhur”, ka shkruar Adnan Rexhepi.
Ai ka njoftuar se varrimi i vëllait të tij do të bëhet të enjten.
“Ju njoftojmë se varrimi i më të dashurit tonë Bedriut do të bëhet të enjten, 20 tetor 2022, në ora 13:00 ( Me namazin e Drekës ) në varrezat e qytetit në Shtime”, ka shkruar Rexhepi.
Për vrasjen e Bedri Rexhepit, prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut.