Nesër, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Me këtë aktgjykim pritet të përmbyllet procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zgjatur për gati gjashtë vjet, që nga nisja e procedurave ndaj tyre.
Procesi gjyqësor është zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku gjatë këtyre viteve janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë shqyrtuar dëshmi e materiale të paraqitura nga Prokuroria dhe mbrojtja.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë përballur me akuza për krime lufte të cilat ata i kanë mohuar.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të nisë në orën 10:00, ndërsa vendimi pritet të përcaktojë përfundimin e shkallës së parë të këtij procesi të gjatë gjyqësor.
Vendimi pritet të ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë dhe nga familjarët, mbështetësit dhe institucionet e vendit./A.K/
